Saturday , July 21 2018
Më të rejat :

Projekt i ri “MEDPAK” me “Save the Children”

Projekti Edukimi Gjithëpërfshirës për Fëmijët me Nevoja të Veçanta Arsimore në Shqipëri” synon krijimin e akseseve dhe arsimimin në shkolla gjithëpërfshirëse të fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe vështirësi në të nxënë në shtatë rajone të Shqipërisë: Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Durrës, Burrel, Peshkopi dhe Vlorë.

Ky projekt financohet nga “Kooperacioni Italian i Zhvillimit” – Ministria e Jashtme Italiane dhe zhvillohet nga “Save the Children” në partneritet me “MEDPAK” (Shoqata Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara), me Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) në Korçë, Elbasan, Durrës, Burrel, Peshkopi, Gjirokastër dhe Vlorë, si dhe me njësitë e qeverisjes vendore në rajone.

Një projekt i “MEDPAK” në partneritet me “Save the Children”

imgBazuar në një përvojë disa vjeçare në këtë fushë, “Save the Children” dhe “MEDPAK” do të punojnë që në shtatë DAR-et ku do të zbatohet projekti të ngrihen dhe të fuqizohen komisionet multidisiplinore në bazë DAR-esh dhe shkolle për vlerësimin e aftësive dhe nevojave të fëmijëve si edhe hartimin e objektivave të Planit Edukativ Individual (PEI) për çdo fëmijë me Aftësi të Kufizuar dhe vështirësi në të nxënë. Ky komision, i ngritur sipas Ligjit Nr. 62 për Arsimin Parauniversitar, do të përbëhet nga: një specialist i arsimit ose mësues, punonjës social, psikologë dhe mjekë. Kryetari i komisionit është përgjegjësi i shërbimit psikosocial. Prindi është pjesë përbërëse e këtij komisioni sa herë që vlerësohen aftësitë dhe nevojat e fëmijës së tij.

Në kuadër të këtij projekti, në të shtatë rajonet do të organizohen trajnime mbi

  1. Legjislacioni Shqiptar për aftësinë e kufizuar, Metodat interaktive në punën me nxënësin me aftësi të kufizuara, si dhe praktikat e avancuara të mësimdhënies ndihmëse
  2. Identifikimi i nevojave dhe burimeve të mbështetjes për një shkollë gjithëpërfshirëse, si dhe roli i mjedisit social dhe efekti i tij në të nxënit e fëmijës me aftësi të kufizuara.
  3. Përdorimi i teknikave të përforcimit pozitiv si mjet për motivimin e nxënësve me AK. Hartimi i Planeve Edukative Individuale
  4. Ç’është Autizmi, vështirësitë në të nxënë dhe menaxhimi i klasës kur në klasë është përfshirë një fëmijë dhe me aftësi të kufizuar dhe vështirësitë në të nxënë
  5. Klasifikimi Ndërkombëtar i funksioneve të fëmijëve dhe të rinjve ( ICF-CY), për komisionet në bazë DAR-i, komisionet në bazë shkolle /kopshti, si edhe mësuesve dhe prindërve për të krijuar një mjedis miqësor për gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar dhe vështirësi në të nxënë dhe për të adresuar nevojat e tyre.

Ky projekt mbështetet në Objektivat strategjikë të MAS dhe qeverisë shqiptare për krijimin e një shkolle cilësore me synim krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

Në vitin e parë të këtij projekti tre vjeçar (Korrik 2014 – Qershor 2017), është parashikuar të përfitojnë 300 fëmijë me nevoja të veçanta në arsim. të përfshirë tashmë në 14 kopshte dhe 14 shkolla të arsimit të detyruar në rajonet Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Burrel, Durrës, Peshkopi dhe Elbasan.

Komuniteti shkollor nxënës, mësues dhe prindër do të përfitojnë nga krijimi i shkollave dhe kopshteve gjithëpërfshirëse. Stafet e DAR-ve në: Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Burrel, Durrës, Peshkopi dhe Elbasan do të rrisin kapacitetet e tyre në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Komisioneve multidisiplinore, për vlerësimin e nevojave arsimore të nxënësve

Aktivitetet kryesore që do të realizohen gjatë zbatimit të këtij projekti janë:

  • Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, në klasa dhe grupe bashkë me moshatarët e tyre bazuar në PEI të ndërtuar për secilin prej tyre.
  • Ngritja e komisioneve multidisiplinore në DAR/ZA, fuqizimi i tyre nëpërmjet trajnimeve formale dhe jo formale.
  • Organizimi dhe zhvillimi i kurseve të trajnimit me punonjës të arsimit për zbatimin e praktikave gjithëpërfshirëse.
  • Organizimi dhe zhvillimi i kurseve të trajnimit me punonjës të shërbimit psiko=social si pjesë e rëndësishme e komisionit.
  • Takime formale dhe jo formale me prindër për ti bërë edhe ata pjesë aktive të punës në shkollë dhe kopsht .
  • Shkëmbim eksperiencash midis prindërve, mësueseve që punojnë direkt me fëmijë me aftësi të kufizuar në klasa gjithëpërfshirëse me kolegë të tyre në rajonet ku është zbatuar më parë ky projekt.
  • Ngritja e mjediseve burimore, nga një në çdo rajon, për të lehtësuar arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar .
  • Pajisja e shkollave me bazë materiale didaktike për tu mbështetur edukimin e fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.
  • Ndërhyrje infrastrukturore në objektet e disa shkollave në mënyrë që ato të bëhen më të aksesueshme për fëmijët me nevoja të veçanta.
  • Dokumentimi i të dhënave statistikore në mënyrë periodike, për të vlerësuar arritjet dhe nevojat e fëmijëve në vite.

Lexo gjithashtu

Projekt i ri me “Save the Children”

“Drejt një edukimi gjithëpërfshirës, për të gjithë fëmijët në moshë parashkollore në Shqipëri” Çdo fëmijë …